
Hyrja e sasisë më të madhe të kokainës që është sekuestruar ndonjëherë në Portin e Durrësit. Për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha është siguruar nga përkrahja politike për organizatat e narkotrafikut.
“Kjo ngarkesë rekord e kokainës nuk mund të kalonte nga Shqipëria pa garanci politike. Këtë paralajmëroi edhe Kryeprokurori i Antimafias de Raho të hënën në Tiranë. Kur deklaroi se mafia ka lidhje me politikën shqiptare dhe ka pushtuar policinë.
Me këtë rast dua t’i shpreh mirënjohjen partnerëve të huaj që drejtuan operacionin me sukses. Dhe e vunë para faktit të kryer narkoshtetin dhe levat e tij në Shqipëri”. Shkruan Basha në Facebook.
Ai shprehet se “kapja e 613 kilogramëve kokainë është një kronikë e paralajmëruar nga Partia Demokratike”.
“Në mënyrë të përsëritur kemi denoncuar në Kuvend dhe në media se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, ka marrë nën kontroll trafikun e drogave të forta, kokainë dhe heroinë”, thekson Basha.
Për kryedemokratin Basha në qendër të trafikut të drogave të rënda qëndron kryeministri Edi Rama dhe klani i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Rrokada nga klani Tahiri-Habilaj i kanabisit tek klanet e heroinës dhe kokainës të Xhafajve me kompani. Kanë si pikë të përbashkët mbrojtëse, kryeministrin Edi Rama.
613 kilogramët e kokainës, të kapura për shkak të partnerëve tanë, janë tregues se Shqipërinë sot e drejton banda e kokainës”, nënvizon kreu i opozitës.
Në fund Basha kërkon largimin e asaj, që ai e quan banda e kokainës në pushtet dhe krijimin e një qeverie anti-mafia si emergjencë kombëtare.
28 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)