
Erdh ikja
Erdh ikja që s’e doja, nga qielli i dalë në kemp*.
Një rreze nga vezakja e avionit më lëndon.
Është diell i vendit tim, sa shumë ai më dhemb,
Po s’e mbaj dot pranguar nga nata që afron.
Tërë mjegullat e maleve i shoh e zë rënkoj
E shkuma e lumenjve ende më drithëron.
Jam gjallë ende, harresën nuk dua ta dorëzoj,
As fërgëllimin tënd që shpirtin ma trishton.
Te çant’ e shpinës një degë mimoze shkrehur.
Zambaku i bardhë mbi të ka nisur të vajtojë…
S’harroj atë aromë të dhimbjes, me të jam dehur,
E s’mundem asnjë çast për ty mos të mendoj.
Tërë mjegullat e maleve më mbetën qepur syve,
Aty-këtu të zhveshura ca pjergulla avllish.
S’janë mjegulla por lotë, na ndjekin pas të dyve,
Pse ne s’mësuam kurrë, kush jetën na e prish.