
Vaso Papaj – Je (Poezi)
Je …….
Ti
Je ëndrrmtarja e hershme e fluturimeve të mia,
Copëzë e pandarë kaltëroshe e qiellit në pranverë.
Kudo të jem e kudo të më shpjerë dashuria,
Je dadoja e diellit tim, burim buzëqeshjesh përherë.
Të kam gjetur kur mësonim katrorin e binomit,
Kur fërgëlloje “Anës lumenjve”, me temën e tezës.
Brenda zemrës tënde s’iu ndava kurrë emocionit,
Si të isha brenda statujës së Nënë Terezës.
Ti
Je ajo“mirë u pafshim”, mbetur ëndrrave të mia
Ardhur nga tragetet e mbrëmjes në nisje.
Qiell që s’ke pyetur aspak nga stuhia.
Ëndrra- Marigò kur flamurin qendisje.
Je nxënësja veshur me kostum kombëtar,
Me gërshërët në duar, që s’përmbaje gëzimin.
Në krah të çdo feste, sa herë të kam parë,
Kur një shkollë e re do të kish përurimin.
Ti
Je skuadra e zemrës, që më ndjell vetëm gaz,
Kur të gjitha të tjerave u vjen hakut.
Je kirurgu që më shpëton me një by-pass.
Jehona e zërit të shuar tragjik të Pastërnakut.
Je furia e erës në grykë të Milotit.
Bukuria e perëndimit në Dhërmi, iso e polifonisë.
Freskia e Valbonës, Maja e Tomorit, fron i Zotit.
E gjallë brenda zemrës time tek buis.
Je ti, shpirti i bardhë i poezisë sime,
Forca e pambarimtë e gishtrinjëve të mi.
Që ia rrahin tastjerën kompiuterit pa gjëmime
Dhe kërkojnë në vargje vetëm vërtetësi.