
SHIRAT E VJESHTËS
Shirat e vjeshtës rrudhin ballin fajtor,
vjeshtës nuk i bëra dot karantinë,
me pako të shamive, kur fshin lotët,
i zbuloj personalitetin, psikologjinë…
Natës, turbullohet hëna pas shiut,
pastaj na hiqet si vajzë e sjellshme.
Vjeshta përshëndet mikeshën qiellore,
hoje mjalti nga Universi derdhen.
Në vjeshtë dhe plaku flokë bore duket
thinjur më bukur nga të tjerët;
shirat e vjeshtës më rrëmbejnë tutje,
zgjas duart të këpus yjet e ndezur.
Është e pjekur vjeshta, s’mba inate,
era e ftoit këndshëm i del pragut,
kur poetëria e imiton nëpër vargje
vjen papritur dimri – princ i akullt.
Në vjeshtë hapen buzët e paputhura si sythe
të shuajnë etjen e verës që shkoi,
nën çukitje shirash faqet e vajzave
kërcasin si llambushka nate…