
Kënaqësi që krijojnë varësi, gjeste që bëhen lehtësisht zakone të përditshme, madje ndër më të dëmshmet.
Ky është edhe mendimi i një psikologeje të shquar të departamentit të psikologjisë në Universitetin e Bolonjës. Ajo shpjegon arsyet që i shtyjnë duhanpirësit ta teprojnë me cigaren, pra të pinë më shumë sesa duhet. Edhe në librin e titulluar “Psikologjia e duhanit” u kushtohet pikërisht arsyeve, bindjeve, vlerave, qëllimeve dhe karakteristikave të duhanxhinjve, sepse, sipas saj, pirja e duhanit, para së gjithash, është një sjellje dhe vetëm duke pasur parasysh mekanizmat që e luftojnë mund të hiqet dorë prej tij.
“Pirja e duhanit dëmton shëndetin”: ky është mesazhi që mund të lexohet kudo. Si ka mundësi që është kaq e vështirë të heqësh dorë nga cigarja?
Kryesisht janë arsye biologjike. Tashmë varësia ndaj nikotinës është vërtetuar 100%. Kur kemi pyetur duhanxhinjtë, pjesa më e madhe e tyre është shprehur se ka tentuar të paktën një herë në jetë ta lërë, kështu që varësia mund të jetë edhe e pavullnetshme. Pastaj është varësia e tipit psikologjik, ku ndikojnë faktorët motivues dhe kënaqësia që lidhen me gjestin e të pirit. Vendimtar në lidhje me këtë varësi është momenti kur personi ka filluar të pijë cigare: zakonisht duhani fillohet në moshën e adoleshencës. Më rrallë gjen persona që e kanë filluar duhanin në moshë të rritur.
Por përse?
Sepse sot ka një ndërgjegjësim më të madh ndaj dëmeve të duhanit. Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë këtë aspekt, po flasim për një veprim që ka efekt të dëmshëm për shëndetin. Pirja e duhanit nis në adoleshencë, kur këto rreziqe konsiderohen si faktorë të parëndësishëm: pirja e duhanit është pjesë e të eksperimentuarit. Kështu, duke e nisur duhanin në moshë të vogël, është normale që subjekti në fjalë të krijojë varësi kur të rritet dhe në këtë pikë cigarja do të bëhet një zakon, ashtu si çdo gjë tjetër, duke u bërë pjesë e figurës së personit.
Në cigare janë të ndërthurura aspekti i ritualit dhe aktrimi. Mos vallë të pish cigare para shokëve është kthyer në një lloj mode?
Në fakt edhe unë këtë aspekt vë re. Më shumë sesa për t’u dukur, më duket sikur duhanpirësi e vlerëson sjelljen e tij dhe me të pranohet edhe në shoqëri.
A është kjo një mënyrë për të theksuar lirinë individuale?
Sigurisht që është një sjellje individuale. Arsyetimi që bën duhanpirësi është: “Mua më pëlqen të tymos, edhe pse e di se çfarë dëmesh shkakton. Kur unë nuk ua imponoj të tjerëve cigaren, përse dikush duhet të ma ndalojë mua?”.
Ju mendoni se adoleshentët tymosin për imitim?
Dihet që eksperiencat e para me duhanin ndodhin në shkollën e mesme, pastaj me një shtim të vesit gjatë vitit të parë të shkollës së lartë dhe në rënie në fund. Në këtë mes bën pjesë edhe efekti imitim: pirja e duhanit është një sjellje që eksperimentohet në grup. Por ka të bëjë edhe me imazhin social: përfaqëson fazën e rritjes. Në rastin e vajzave, për shembull, pirja e duhanit shoqërohet me një grim të rëndë, me një veshje më ekstravagante për t’u dukur më të mëdha.
Ka nga ata që e konsiderojnë duhanin një kënaqësi perfekte. Ju si mendoni?
Jam shumë dakord, duhani konsiderohet një kënaqësi. Mesa duket është një eksperiencë subjektive, por edhe ish-duhanpirësit për shumë vite, që e kanë lënë cigaren për shumë arsye shëndetësore, i referohen këtij kujtimi të këndshëm. Duhani ndikon pozitivisht në të gjithë sistemin ndijor: në shije, nuhatje, aromë. Pëlqejnë shijen e duhanit, tymin kur u del nga goja dhe hunda. Megjithatë detyra jonë është t’ua kujtojmë të gjithëve se sa i dëmshëm është për shëndetin dhe t’i ndihmojmë me ç’të mundemi personat që duan ta lënë. Po aq i rëndësishëm është edhe shkurajimi i adoleshentëve kur nisin cigaren, ndaj duhet ta vëmë theksin te parandalimi dhe t’u ofrojmë atyre sjellje alternative jo të dëmshme, për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët dhe për t’u ndier më të rritur.