
Edhe pse familja juaj, miqtë, apo të afërmit tuaj mund të kenë shumë probleme në marrëdhëniet njerëzore, mirënjohja, nëse do të aplikohej shpesh, mund të bënte me të vërtetë mrekulli…
Është e lehtë të bësh një listë me të gjitha gjërat që dëshiron të kesh ose që do të krijosh për veten tënde. Por sipas një studimi të fundit, të vlerësosh atë çfarë ke mund të jetë çelësi për të jetuar një jetë më të shëndetshme dhe më të lumtur. Me shkencën nuk mund të “diskutohet”, kështu që në vijim do të gjeni pesë mënyra mirënjohjeje për të përmirësuar shëndetin tuaj:
Shkruani letra falënderimi
A dëshironi të ndiheni më të lumtur? Atëherë shkruani një shënim falënderimi! Sipas një studimi të kryer nga Steve Toepfer, asistent profesori i studimeve të zhvillimit njerëzor dhe familjes në “Kent State University” në Salem, rritja e nivelit të kënaqësisë mund të jetë po aq e lehtë sa shkrimi i një letre falënderimi. Toepfer i ka kërkuar një grupi vullnetarësh që të shkruanin secili nga një letër mirënjohjeje të gjithëve atyre që i donin e që i kishin shumë për zemër. Pasi e shkruan, ata u ndien më pak depresivë, madje dhe më shumë të kënaqur me jetën e tyre në përgjithësi.
I thoni partnerit gjëra të cilat i vlerësoni tek ai
Është e lehtë të përqendrohesh në të gjitha gjërat që partneri juaj nuk është duke bërë, të tilla si të mos hedhë mbeturinat jashtë apo edhe të mos mbledhë rrobat e pista. Por një studim i viteve të fundit i publikuar në revistën “Personal Relationships” ka zbuluar se përqendrimi vetëm te sjelljet pozitive të tjetrit mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të lidhur dhe më të kënaqur në marrëdhënien tuaj. Mjafton të rezervoni shumë pak minuta çdo ditë për t’i thënë partnerit tuaj se çfarë vlerësoni tek ai. Me kalimin e kohës, apo në të ardhmen, marrëdhënia juaj do të bëhet edhe më e fortë…
Nëse do të ndiheni mirënjohës, atëherë cilësia e jetës suaj do të përmirësohet
Të ndiheni mirënjohës mund të influencojë pozitivisht mirëqenien dhe cilësinë e jetës, kjo sipas një studimi të kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Kalifornisë. Në këtë studim janë marrë nën vëzhgim dy grupe personash dhe ai grup i cili kishte shënuar motivet e mirënjohjes për të afërmit dhe miqtë, pas 21 ditësh, rezultonte se kishte përmirësim të shëndetit mendor dhe të mirëqenies në përgjithësi.
Të shprehësh mirënjohjen ndihmon të flesh më mirë
Studiuesit e Universitetit të Mançesterit kanë shqyrtuar më shumë se 400 subjekte. (40% kishin shqetësime me gjumin) dhe kanë zbuluar se ata të cilët zhvillonin “kultivimin” e ndjenjës së mirënjohjes kishin përmirësuar cilësinë e gjumit.
Falënderimi rrit energjinë fizike
Mirënjohja mund të jetë frymëzim për zhvillimin e “marrëdhënieve” me palestrën. Studimi i lartpërmendur kalifornian ka nxjerrë në pah gjithashtu se ndjenja e mirënjohjes mund të rrisë edhe nivelin tuaj të energjisë, e përkthyer ndryshe edhe si trajtim më i madh fizik.
Mos e ngatërroni ndjenjën e mirënjohjes me atë të borxhit
Sigurisht që në jetë mund të ndiejmë se, kur dikush na bën një të mirë apo na jep diçka me vlerë do të duhet në një mënyrë apo në një tjetër t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë. Por në këtë rast nuk kemi, në fakt, të bëjmë me një ndjenjë mirënjohjeje të vërtetë. Të paktën në këtë mënyrë e përcaktojnë psikologët.
Kjo ndjenjë quhet borxh dhe është një ndjenjë që nuk përmban pozitivitetin e një ndjenje mirënjohjeje, sepse të shtrëngon dhe të krijon kufizime. Në një eksperiment të bërë në Northeastern University, dy psikologë i prishën kompjuterët e disa studentëve dhe i thanë një studenti tjetër që t’i ndreqte ato. Ky, pasi i ndreqi, i tha se i kishte bërë me shumë dëshirë shërbimet dhe se studentët e tjerë nuk duhet që të ndiheshin në borxh.
Kjo ishte e mjaftueshme që ata të ndiheshin mirë dhe t’i bënte që në po këtë mënyrë, pra pa asnjë interes dhe kërkesë shpërblimi, të ndihmonin edhe të tjerët. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mirënjohje të pastër dhe kur kjo ndodh mes të huajve, mendoni se sa lehtë mund të ndodhë mes njerëzve që njihen apo edhe bashkë familjarëve. Si pasojë, është një ndjenjë që duhet të përdoret më shpesh, sepse edhe rezultatet në marrëdhëniet njerëzore do të jenë më të mira