
Cila është ideja juaj për një propozim romantik? Një përulje në gjunjë? Ose ndoshta mendoni që mund të ndodhë në një restorant? Apo ka rreth e rrotull lule, ëmbëlsira, shampanjë dhe një unazë diamanti? Keni menduar ndonjëherë se si do ta doni një propozim martese? Një ish-zhytës olipmik nga Suedia, Jimmy Sjödin, nuk e dinte se çfarë do të ndodhte, por ja cila është historia që u bë virale pas këtij propozimi shumëëëë romantik.
Jimmy Sjödin jeton në Munich me të dashurin gjerman Patrick, i cili është një bodybuilder. Ata janë bashkë për më shumë se një vit, kur Patrick vendosi të bëjë propozimin për martesë. Dhe gjithçka e kishte menduar të ishte surprizë. Patrick e kishte mbajtur sekret planin e tij për një kohë të gjatë. Një ditë, në korrik, Patrick dhe Jimmy bënë një udhëtim, por Patrick nuk mund t’i tregonte Jimmy-t se ku do të shkonin.
Pasi arritën në Venecia, një qytet që për Jimmy-n ishte një ëndërr e bërë realitet, sepse gjithmonë kishte ëndërruar të shkonte, plani filloi të merrte jetë.
Pasi hipën të dy në një varkë për të bërë një udhëtim të shkurtër nëpër Venecia, shijuan mrekullinë e qytetit dhe kaluan një kohë shumë të bukur bashkë, ishte momenti që Patrick t’i dhuronte unazën dhe t’i bënte propozimin për martesë të dashurit të tij.
Jimmy mbeti i befasuar dhe, natyrisht, tha “Po”. Ai tregoi se as nuk i shkonte në mend që në këtë udhëtim do t’i vinte propozimi për martesë. Dhe ç’është më e bukura, Patrick kishte marrë me vete edhe fotografin, i cili ka kapur momentet më të bukura dhe më emocionuese në aparat, që çifti ta mbajë mend gjithmonë si një prej kujtimeve më të bukura të jetës.
Dasma është vendosur në muajin maj 2018, në Alpet Gjermane, ditë që ata të dy do të festojnë 2-vjetorin e lidhjes.
Shikoni në këto foto sa të lumtur janë.
Dhe unazën që shkëlqen në diellin e Venecias.