
Organizimi
Nëse punoni në zyrë atëherë me siguri në të kaloni tetë orë në ditë, apo një të tretën e ditës. Kështu që për çdo femër mbajtja e disa gjërave në zyrë është më se e nevojshme. Me të drejtë do të pyesnit se çfarë për shembull? Ja atëherë 10 objektet e domosdoshme që duhen pasur në zyrë.
Balerinat, apo këpucët e sheshta
Ndonjëherë keni vendosur të vishni ato këpucët e reja që nuk i keni veshur kurrë më parë, me takën 10 pont e të cilat “janë komode”, por më pas jeni gjendur mes dhimbjeve të padurueshme të këmbëve. Akoma më keq nëse duhet të ecni 100 metra! Ndaj zgjidhja janë një palë pupa apo balerina, mundësisht të zeza, të cilat shkojnë me gjithçka.
Takat
Në të kundërt, kur vendosni të vishni një palë balerina komode, dhe ju del një takim i rëndësishëm dhe i papritur, në raftin tuaj në zyrë duhet të keni edhe një palë taka klasike, edhe këto të zeza. Problemi në të tillë rast zgjidhet edhe nëse jeni me xhinse. Takat, të kombinuara me xhinse janë ende në modë.
Geta
Nuk ka asgjë më të keqe se sa kur të grisen getat. E keni provuar apo jo?! Është një gjë që ndodh shpesh dhe duke qenë se nuk zënë shumë vend, mbani më shumë se një palë në sirtarin tuaj. Do të ishte mirë të ruanit një palë të zeza dhe një palë ngjyrë mishi.
Çantë kozmetike
Pikërisht këtu fillon ABC-ja e asaj që çdo grua duhet të ketë në zyrë: çantën e bukurisë. Ajo duhet të jetë pak a shumë si ajo që keni në shtëpi. Versioni drejtkëndësh duhet të përmbajë: pudrën, rimelin, një shkëlqyes buzësh, limë për thonjtë, një pasqyrë, apo edhe ndonjë gjë tjetër shtesë të cilën e keni më se të domosdoshme.
Deodorantin, furçën e dhëmbëve dhe…
Mos mendoni se kjo është një gjë e ekzagjeruar. Në zyrë nuk duhet t’ju mungojë deodoranti, furça e dhëmbëve dhe një pako letra të lagura ose edhe një pako peceta higjienike.
Ndonjë gjë të vogël për të ngrënë…
Mos ndoshta ju kap ndonjë “atak” urie rreth orës 11? Atëherë zgjidhja është një meze e lehtë dhe e shpejtë. Ndonjë butinë çaji si alternativë e ujit (ju kujtojmë të pini shumë ujë gjatë orarit që qëndroni në zyrë edhe nëse nuk keni etje!). Në sirtar mbani edhe karamele apo edhe një pako çamçakëz.
Ndonjë rrobë më shumë
“A je për një aperitiv të shpejtë?”. Ju ka ndodhur të jeni e lirë për shembull në atë moment që ju kanë ftuar, por sa keq që atë ditë keni qenë me nxitim dhe nuk jeni veshur në mënyrë shumë elegante. Atëherë ju kujtojmë që në zyrë të mbani edhe një bluzë ose këmishë, edhe këto në ngjyrë të zënë, sepse janë kurdoherë të përshtatshme.
Çadrën
Kur keni dalë ndonjë mëngjes për të shkuar në punë, dielli ka shkëlqyer, por pasdite kur ju ka shkuar orari për t’u kthyer në shtëpi ka filluar të bjerë shi. Kjo me siguri është një histori e përsëritur. Atëherë çfarë do t’ju kushtojë që në zyrë të mbani edhe një çadër të vogël! Mos e harroni atë, sepse është me të vërtetë një objekt shumë i domosdoshëm.
Paracetamol dhe ndonjë ilaç për dhimbjet e…
Nuk është e thënë që të keni një minifarmaci në sirtar, por ndonjë ilaç të nevojshëm si për shembull ndonjë paracetamol në rastin kur ju fillon dhimbja e kokës. Po kështu, nuk do të ishte keq, që në rastin e dhimbjeve që ju shkaktojnë menstruacionet të keni edhe ndonjë ilaç apostafat për to.
Karikues apo ndonjë gjë tjetër të ngjashme
A ju bie shpejt bateria e celularit? Jo! Megjithatë, ne jua rekomandojmë një karikues, sepse ndonjë ditë do t’ju duhet me patjetër. Gjithashtu, në sirtar mos harroni të mbani edhe një palë kufje, sepse këngët më të reja janë shumë të bukura, por ndoshta jo të gjithë që ndodhen në zyrë duan t’i dëgjojnë ato.