
Nuk të le sekondin vetëm
Nuk të le sekondin vetëm.
Ndryshe helmi e mund shpresën.
Ndoshta mishi na është plakur.
S’dua plagë të tjera hapur.
Në sirtar zemrën s’kam ngulur.
S’kam inat, mes njerëzve ulur.
S’jam kokëfortë, as i shkujdesur.
Ka një jetë që jemi mpleksur.
Ia kam falë zemrën të gjithëve.
Afër, larg, pa dallim, miqve.
Jam nomad. Rroftë poezia!
Shpirti im është vetë liria.
Nuk të le sekondin vetëm.
Ngutje kam, uri për jetën.
Nuk durojë zinxhirë të ndryshkur.
Dua dritë për çdo të vyshkur.
Të përgjumem, të harrohem,
Të besoj, të përgjërohem.
Nga kjo botë po u largova,
Shkoj me qejf, se dashurova.