Konceptet e Programimit me Python. (Hyrje) Tutoriale shqip.

Konceptet e Programimit me Python. (Hyrje) Tutoriale shqip.

Hyrje – Konceptet e Programimit me Python

python

Hyrje

Programet kompjuterike

Fjala program nuk është aspak e huaj në gjuhën e përditshme. Programet sportive, programet muzikore janë bërë ndër fjalët më të zakonshme në botën e televizionit. Të gjithë e kemi hasur në shkollë programin mësimor. Në politikë kemi dëgjuar të flitet shpesh për programet e ndryshme politike. Fëmijëve që të vegjël u mësohet të planifikojnë, të shkruajnë dhe të zbatojnë një program ditor. Programet ditore krijohen prej dy shtyllave: orës që do të kryhet një veprim dhe veprimi. Pothuajse të gjithëve na mësojnë që programet ditore duhet të fillojnë kështu: Ora 8:00 – Zgjimi.

Ndryshe krijohen programet muzikore, politike apo mësimore, por të gjitha përbëhen nga një sërë rregullash që duhen ndjekur me përpikmëri për të arritur rezultatin e dëshiruar. E njëjta gjë ndodh edhe me programet kompjuterike, ndër të cilat mund të përmendim: lojrat, shfletuesit e internetit, edituesit e imazheve, përpunuesit e teksteve etj.

Programet kompjuterike janë një varg instruksionesh të shkruara për të arritur një qëllim të caktuar.

Për të krijuar programet kompjuterike, duhen njohur rregullat e shkrimit të këtyre instruksioneve dhe konceptet për formimin e tyre.

Gjuhët e programimit

Njerëzimi shpiku gjuhën si një mjet komunikimi. Gjuhët me të cilat komunikojmë me njerëzit në të gjithë botën quhen gjuhë natyrale. Ndërsa gjuhët që përdoren në shkenca siç është psh. ajo e matematikës apo kimisë quhen gjuhë formale.

Gjuhët natyrale kanë pak a shumë të njëjtin alfabet, por fjalët si dhe rregullat për formimin e fjalive, ndryshojnë nga një gjuhë në një tjetër. Gjuhët e programimit ashtu si gjuhët natyrale janë të shumta ku mund të përmendim: Ada, Python, Java, C, C++ e shumë e shumë të tjera.

Të programosh do të thotë të zgjidhësh problema me anë të kompjuterit. Këto problema nuk përdorin gjuhët natyrale, as ato të
matematikës, fizikës apo kimisë, por gjuhët e programimit. Programet kompjuterike krijohen duke përdorur gjuhët e programimit.

Gjuha Python

Për të shpjeguar konceptet e programimit gjuha python është ndër më të përshtatshmet për të filluar. Python është një gjuhë që mund të mësohet lehtë nga fillestarët. Ajo që e bën më të lehtë është edhe ngjashmëria me gjuhën natyrale.

Python përdoret nga qindra mijëra programues në të gjithë botën. Le të përmendim disa nga sukseset e kësaj gjuhe: Python përdoret në programet e rrjetit, biznes, shkencë, financë, edukim, lojra etj. Google, hartat dhe grupet e Yahoo, Nasa, IBM, Nokia përdorin në një pjesë të mirë të tyre gjuhën Python. Universitetet më të mira të Shteteve të bashkuara të Amerikës përdorin në programet e tyre mësimore gjuhën e programimit Python, ku mund të përmendet MIT.

Python u krijua nga Guido von Rossum në fund të vitit 1989 dhe u përhap në fillim të 1991. Menjëherë kur degjojmë emrin python na vjen ndër mend gjarpri, por në fakt emri i kësaj gjuhe programimi vjen nga një serial komik televiziv britanik i titulluar “Cirku fluturues i Monty Python”, që shfaqej në kanalin BBC gjatë viteve 1969-1974.

Python mban vulën e Guido von Rossum, por sigurisht që kanë kontribut për përmirësimin dhe zhvillimin e saj si gjuhë, programues të shumtë.

Instalimi

Kompiler i python mund ta ketë çdokush në kompjuterin e vet pa pagesë. Mund ta shkarkoni atë në këtë adresë: python.org duke pasur parasysh sistemin operativ të kompjuterit tuaj. Gjithashtu duhet të keni parasysh versionin. Dy versionet kryesore të python në momentin që po shkruhet ky libër janë ato që fillojnë me 2 dhe ato që fillojnë me 3. Ky libër përdor versionin 2.7.11, prandaj ky është versioni që duhet të shkarkoni dhe instaloni.

Sistemi operativ është programi që bën të mundur kontrollin e të gjithë kompjuterit: duke përfshirë pajisjet fizike dhe programet.

Sistemi operativ është programi që bën menaxhimin e një sistemi kompjuterik që nga kontrolli i pajisjeve fizike (si psh. printeri, tastiera, ekrani etj) deri tek krijimi i një ambjenti (mik)pritës për çdo program tjetër aplikativ. Shembuj familjesh sistemesh operative mund të përmendim: Microsoft Windows, Linux, Mac OS.

Pasi ta instaloni programin do të vini re se menyrat për të përdorur pythonin janë përmes: Command Line ose GUI

Command-line quhet interface-i ku përdoruesi duhet të shkruajë komanda nëpërmjet tastierës apo çdo pajisje tjetër që mundëson futjen (input) e tekstit në kompjuter. Ky lloj komunikimi ka qenë tipik për sistemet më të vjetra si psh. Unix apo MS-DOS.

Visual Interface– Ose GUI quhen ato mënyra komunikimi me kompjuterin ku përdoruesi mund të “veprojë” mbi atë që sheh në ekran edhe përmes mouse-it apo çdo pajisje tjetër që lejon komunikimin e përdoruesit me kompjuterin në mënyrë vizive përveç tekstit. Ky lloj interface përdoret nga pothuajse të gjithë sistemet kompjuterike aktualë. Disa sisteme operative që përdorin interface visual janë familja e sistemeve Microsoft Windows, Mac OS X etj.

Për të mësuar gjuhën python do të përdorim paraqitjen vizuale të programit, kështu hapni IDLE (Python GUI) . Në programim IDE ( Integrated Development Environment) quhet programi që i mundëson programuesit të shkruajë, testojë, dhe kompilojë programet sa më lehte. IDE e gjuhës python është krijuar nga vetë autori i gjuhës van Rossum dhe quhet IDLE.

Me këtë program do të punojmë për të shpjeguar konceptet e programimit. Siç e shihni edhe vetë, programi ka shumë menu (file, edit, shell etj.), më vonë do të shohim se ka goxha lirshmëri në të shkruar duke përdorur ngjyrat për tekstin për fjalë të caktuara etj.

Programi i parë

Nëse në shtëpi apo zyrë dokumentet ruhen në sirtarë apo bibliotekë, në botën e kompjuterave gjërat funksionojnë pak a shumë po njëlloj. Ndarja që u bëhet librave apo dokumenteve në shtëpi, nuk është aq strikte sa në kompjuter. Zakonisht në bibliotekat e shtëpive, njerëzit i ndajnë librat sipas kategorive (letrarë, shkencorë, publicistikë etj.) duke i vendosur në kate të veçanta, apo akoma më tej duke bërë një ndarje edhe më specifike, nëpër sirtarë në dosje me tituj të veçantë. Ata që kanë vizituar bibliotekat e qyteteve e kanë edhe më të qartë ndarjen që u bëhet librave.

Dokumentat ruhen, modifikohen dhe fshihen, qofshin në shtëpi apo kompjuter. Dokumentat ruhen në kompjuter sipas llojit që u përkasin: ky lloj dallohet nga prapashtesat që këto dokumenta kanë. Psh. leksion.doc është një dokument i shkruar në MS Word, leksion.py një “shkrim” i shkruar në python. Siç e pamë, ndarja nuk vlen vetëm për dokumentet, por edhe për programet.

Më poshtë do të nisim me mësimin e gjuhës python. Cilido që shpjegon një gjuhë programimi, e nis programin e parë sigurisht me më të thjeshtin e mundshëm, zakonisht të përmbajë sa më pak rrjeshta. Le t’i hedhim një sy kodit burimor, shkurt përdoret thjesht kodi (kod quhen instruksionet që ne shkruajmë për një program):

>>> print "Pershendetje!"
Pershendetje!

Provoni të shkruani këtë rresht kodi në IDLE dhe shtypni butonin enter në tastierë ( simboli >>> eshte pjesë e IDLE dhe nuk duhet ta shkruani; ky simbol do të përdoret dhe në vijim në shembujt e këtij libri). Ky program shfaq në ekran, përmes fjalës kyçe print, tekstin që ne shkruajtëm midis thonjzave. Thonjzat nuk janë një vendim i marrë nga ne, por një detyrim i mirëpërcaktuar nga krijuesit e gjuhës, pra një rregull.

Familjarizimi me IDLE

Simboli >>> i përmendur më lart tregon se IDLE është hapur në atë që quhet mënyra interkative e ekzekutimit te programeve. Kjo do të thotë se komandat ( si psh. print "Pershendetje!") duhet t’i shkruajmë një nga një dhe t’i ekzekutojmë menjëherë duke shtypur enter. Pasi shtypim enter komanda jonë ekzekutohet dhe simboli >>> shfaqet sërish ne IDLE për të na treguar se është gati që ne të shkruajmë një komandë tjetër.

Kur programojmë sidomos programe të mëdha, kodet nuk janë të thjeshta, ato shpesh përbëhen nga mijëra rrjeshta. Kështu është e nevojshme që t’i ruajmë kodet tona, pasi nuk mund të përfundojmë një program për një kohë të shkurtër. Duke klikuar tek File > New File një dritare e re do të hapet ku mund të shkruajmë një program më të gjatë. Për momentin mund të shkruani edhe një herë të njëjtin program që shkruam më parë në dritaren interaktive ( print "Pershendetje!") dhe duke klikuar File > Save programi do të ruhet ne kompjuter si çdo dokument tjetër.

Për të rishikuar kodin e ruajtur shkoni tek File > Open. Në këtë moment ju shikoni kodin që keni shkruar. Ky kod nuk bën asgjë, pra nuk shkruan në ekran përshëndetjen që ne shkruam. Për të ekzekutuar kodin duhet të veprojmë kështu: shkoni tek Run > Run Module, ose mund të përdoni kombinimin me tastierë Ctrl+F5. Programi do të ekzekutohet sërish ne dritaren interaktive te IDLE.

Nëse hasni ndonjë mesazh gabimi sigurohuni që keni shkruar gjithçka saktë. Pythoni është i ndjeshëm ndaj hapësirave (ndaj kujdesuni që mos të ketë të tilla përpara çdo fjale në secilin rresht) si dhe ndaj gërmave të mëdha dhe të vogla ( psh. Print është e ndryshme nga print).

Nëse gjithçka ka shkuar OK mund të vazhdoni me leximin.

Artikulli tjeter : Alfabeti

Kthehuni te : Permbajtja

Librin online mund ta gjeni ne faqen zyrtare http://libripython.arbanaibaj.com . Falenderojme autoren e librit Znj. Arbana Ibaj per dhenien e te drejtave te autorit per llogari te www.sibehet.com

Komentoni