Analizë e poezisë "Baladë qytetse", Migjeni. Vepra letrare
Home » Studenti Online » Dega Gjuhe-Letersi » Analizë e poezisë “Baladë qytetse”, Migjeni

Analizë e poezisë “Baladë qytetse”, Migjeni

Analizë e poezisë “Baladë qytetse”, Migjeni

BALADË QYTETSE

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! – por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë –
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

 

Baladat janë pjesa mè tragjike e folklorit. Heronjtë e tyre janë njerëz tè jashtëzakonshëm që veprojnë në situata të jashtëzakonshme. Këto balada kanë vdekur. Baladat e reja luhen nga njerëz të zakonshëm në rrugët e qyteteve tona. Tragjeditë e reja janë më të dhimbshme se të vjetrat.

 

Në vargun: qiella dhe hyjt e vramë qëndron një ton kritik. Këtë ngjarje të trishtueshme që ndodh e shikon edhe qielli, edhe yjet. Ata janë të vetmit dëshmitarë sepse njerëzit nuk përmenden fare. Njerëzit janë indiferent prandaj edhe Migjeni përdor një ton kritik.

 

Koha

Koha e zhvillimit të ngjarjes është nata, errësira. Natën qyteti fle, pra nuk është pjesëmarrës.

Nata është koha kur ushtronte prostitucionin gruaja kur ishte e re. Jeta e saj vazhdon me të njëjtat ritme vetëm se ka ndërruar profesion. Nga prostitutë është kthyer në lypëse (në një të çmendur).

Nata është një element që shërben për të krijuar atmosferën e tragjedisë.

 

Vargu: Hije… jo! – por një grue  është një dilemë nëse është hije apo grua. Hija e një qenieje njerëzore tregon atë që ka mbetur nga një njeri.

Gruaja që përmend Migjeni ka këto tipare:

  • Fytyrë të zbehtë
  • Buzë të vyshkura
  • Gjoks me plagë
  • Flokë të thinjura.

Kjo grua, me anë të këtyre elementeve të pamjes së saj kishte siguruar jetesën, por tani është në fazën e degradimit, në pleqëri dhe këto elemente nuk i sigurojnë dot më asaj bukën e gojës.

 

Mjerimi fizik dhe shpirtëror janë të lidhur sepse varfëria e çon këtë grua në prostitucion dhe kjo gjë sjell edhe mjerimin shpirtëror.

 

Kjo grua është e varfër sepse i ka humbur të gjitha hiret e saj dhe nuk mund t’i shfrytëzojë më ato për të fituar jetesën. Qyteti nuk e ka parë atë kurrë si një qenie njerëzore, por si një objekt për të zbrazur epshet njerëzore. Kështu që po ky qytet është fajtor për mjerimin e kësaj gruaje.

 

(Dikur,

kur gjit’ e saj me kreni shpërtheheshin n’aromë,

kur ish e njomë

 – atëherë e dashunojshin shum zotni.

E sot?)

 

Në këto vargje poeti përdor figurën e ironisë sepse thotë që atë e dashurofshin. Atë asnjëherë nuk e kanë dashur. Ka shumë mundësi që poeti këtu të ketë ngatërruar fjalën dëshirofshin me dashurojshin.

 

 

me flokë të thime,

me ndjesi të ngrime.

 

Në këto vargje flokët e thinjura janë tregues i plakjes, ndërsa ndjesia e ngrime tregon se ka ngrirë mënyra e jetesës.

 

Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun

në rrugat e qytetit tonë,

një jetën e fikun, një jetë e shterun,

shpin i molisun, zemër e therun,

një za vorri, një jehonë

që vallzon natën vonë

nëpër rrugat e qytetit tonë.

Kjo grua e argëtonte dhe e argëton akoma qytetin. Dikur e argëtonte me trupin e saj, ndërsa sot e argëton me shfaqjen që jep.

  
        
          

Komentoni