Profili psikologjik i Shqipetareve te sotem. (Eshte per te ardhur keq disi).....
Home » Studenti Online » Dega Psikologji » Profili psikologjik i Shqipetareve te sotem. (Eshte per te ardhur keq disi)…..

Profili psikologjik i Shqipetareve te sotem. (Eshte per te ardhur keq disi)…..

Risitë e jetës së shoqërisë sonë kanë sjellë ndryshime në mendime, sjellje dhe në karakteristikat psikologjike të shqiptarëve. Ajo çfarë mjedisi fiziko-social ofron psikologjikisht është diku e mirë e diku jo, diku e saktë dhe diku jo e tillë. Duke qenë psikolog klinicist po ndalem më poshtë në disa prej karakteristikave të shfaqura jo për mirë këto vitet e fundit:

Profili psikologjik i Shqipetareve te sotem. (Eshte per te ardhur keq disi).....

Mendjeshkurtër

– Kemi një mendje të kthjellët, një mendje të zgjuar e të mprehtë, ama atë nuk e mbajmë të zhvilluar me atë çfarë praktikisht duam të bëjmë. Kemi mjaft ide të mira në kokë, por që nuk i zhvillojmë në terren e kështu punët ose i lëmë përgjysmë ose janë të papërfunduara. Ose marrin një rrjedhë tjetër, ose nuk i nisim fare. Prandaj shpesh mendojmë se i bëjmë gjërat thjesht se duhet …

“Të shkathët”

– E vendosur në thonjëza pikërisht për të treguar faktin se vërtet kemi mendje të zgjuar, por e përdorim jo për mirë e vetëm për t’u mbijetuar presioneve dhe vështirësive tona funksionale. Mjeshtër të shpëtimit ndaj situatave mbijetuese përmes justifikimeve. Gënjeshtrave. Mashtrimeve. Pehlivanllëqeve. Matrapazllëqeve. Shfrytëzimit të rasteve. Dallavereve. Abuzimeve me ankesa etj.

Oportunistë (për keq)

– Jemi të gatshëm të shfrytëzojmë deri në abuzim të tjerët dhe mjedisin tonë, pa norma dhe pa rregulla. Mjafton të na shkojë mendja se … ç’rëndësi ka sa e rregullt apo normale është. Kemi uzurpuar prona jo tonat, kemi zgrapur pronat e të tjerëve, kemi abuzuar me pozicionet e punës, kemi mashtruar të tjerët,. Kemi korruptuar institucione për ta zënë apo për ta marrë ne atë e jo tjetri. U kemi kërkuar favorizime të padrejta të tjerëve në pikën ku më nuk mundet dhe ku ka shkelje ashiqare. Kemi gënjyer e sajuar vetëm e vetëm për t’ua “kallur” të tjerëve … Dhe për t’i mbushur mendjen vetes me gënjeshtrën: Sa i zoti jam!

Antikonformistë (jo të thekur)

– Të gjithë kemi ndjesinë e të qenët brenda normave dhe rregullave në përgjithësi. Ama kur vete puna në veçanti për veten tonë jemi gati të mos biem dakord, të mos pranojmë e mos zbatojmë normativën funksionale. Kur përballemi me rregullat dhe ligjet jemi gati t’i kundërshtojmë … Prandaj dhe shpesh na mbetet gjithmonë për të thënë diçka …

Kokë më vete (Të pabindur)

– Secili nga ne është i prirur të bëjë sipas mendjes së tij pa u interesuar shumë për të tjerët. Kush nga ne i njeh ligjet si duhet? Kush nga ne i thotë menjëherë ligjit: Si urdhëron?! Sa herë kur veprojmë apo marrim vendime kemi ndërmend edhe të tjerët?

Sedentarë

– Ka vite që fjala punë nuk përdoret ose nuk merret në konsideratë në fjalorin tonë. Të gjithë nisen t’i gjejnë më parë hilen punës sesa ta çojnë deri në fund atë. Kjo na ka bërë përtacë, hileqarë, jokorrektë, joaktivë dhe latentë me aftësitë dhe shprehitë tona. “Vdesim” t’i duam qyl gjërat dhe menjëherë pa u angazhuar, sidomos të rinjtë. Të gatshëm të rrimë kot …

Të rezervuar

– Vërtet sot nuk kemi frikë të flasim dhe të shprehemi çfarë e si të duam. Por kur vjen puna për të treguar diçka personale, për vlerat tona individuale, për dëshirat, ndjenjat dhe aftësitë e vetes sonë, priremi të mbajmë gojën kyçur. Nën pretekstin e të qenët në dukje të urtë e të mirë shmangim përballjen për t’u treguar të tjerëve atë çfarë realisht duam, mendojmë dhe bëjmë …

Të zemëruar

– Pamjaftueshmëritë e gjetjes së vetes sonë në atë çfarë kemi bërë në këto vite ka treguar se pjesa më e madhe e shoqërisë sonë është më shumë se e pakënaqur në shprehjen e zonës së vet funksionale …

Dyshues

– Ne i druhemi njëri-tjetrit. Jo nga frika, por se kemi humbur besimin te tjetri. Na duket se tjetri na përdor, na do të keqen apo do të na e marrë të mirën për vete. Këtë e shfaqim në marrëdhënie me të tjerët kudo duke komunikuar jo qetë dhe duke u bërë konfliktualë. Një fenomen i ri në shoqërinë tonë janë konfliktet në familje, ku marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes kanë shkaktuar vuajtje dhe dhembje në rritje (Kulmi!). S’po zgjatem te farefisi, shoqëria e ngushtë, institucionet, shteti e të tjerët, se pastaj kuptohet lehtë sa të çoroditur jemi nga mosbesimi ndaj tyre … Edhe kur na vjen një gjë e mirë nga dikush më parë çuditemi sesa lumturohemi …

Karakteristikat psikologjike janë të shumta.

Me optikën time profesionale u ndala tek ato “më problemoret” shpirtërisht, duke u nisur nga një këndvështrim i caktuar psikologjik. Për ta sqaruar më tej të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, jemi të prirur të shfaqemi edhe në këto karakteristika. Për ta vazhduar shpjegimin po i referohem librit të një prej “baballarëve” të psiko-pedagogjisë shqiptare, prof. dr. Hamit Beqes “Edhe engjëlli edhe djalli janë brenda tek i gjalli”. Nisur që nga titulli i librit, më duhet të them që në këto vite shqiptarët (jo me dashjen e tyre) më shumë kanë aktivizuar karakteristika “djallëzore” sesa “engjëllore”.

Për ta mbyllur, e duke iu rikthyer pikënisjes sime, mendoj se sot shqiptarët nga këto shprehje kanë një shpirt të trazuar, i cili shprehet dhe reflektohet në mendimet dhe sjelljet e tyre në zonat personale e funksionale përkatëse. Një atmosferë psikologjike e padëshirueshme, por aktuale. Mosndërhyrja ndaj mjedisit social e në marrëdhëniet e ndërsjella me të tjerët do të vazhdojë të na mbajë të “djallosur”, dhe shpirtërisht do të vazhdonim të mbeteshim ndryshe nga çdo të donim …

Prof.Doc,As Arben Hoti

  
        
          

Komentoni