Kontributi i Ernest Koliqit në arsimin shqiptar. Krijuesi i Visareve të Kombit
Home » Studenti Online » Dega Gjuhe-Letersi » Kontributi i Ernest Koliqit në arsimin shqiptar

Kontributi i Ernest Koliqit në arsimin shqiptar

Kontributi i Ernest Koliqit në arsimin shqiptar. Krijuesi i “Visareve të Kombit”

Veprimtaria e Koliqit nuk mbaron vetëm në fushën e kulturës. Kontributi i tij është shumë i çmuar, por ka dhënë kontribut të madh edhe në arsimin shqiptar. Koliqi është nismëtar i botimit të “Visareve të Kombit”, që është mbledhja më e plotë e deriatëhershme e trashëgimisë folklorike të popullit shqiptar. Atë të cilën e arriti edhe me ndihmën e materialeve që mblodhën studentët që kishte dërguar nëpër male për të mbledhur pasurinë folklorike.

Kontributi i Ernest Koliqit në arsimin shqiptar. Krijuesi i Visareve të Kombit

Në letrën që i ka drejtuar Karl Gurakuqit më 16. 03. 1955 ndër të tjera ai shprehet:

“…nisa studentë nëpër male me mbledhë pasunin folklorike…”

Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike evropiane. Shqipëria ishte një nga vendet e paracaktuara nga projektet e Bllokut të shteteve fashiste për t’u përfshirë tërësisht në këtë lëvizje gjeopolitike. Ernest Koliqi, së bashku me Mustafa Krujën dhe Dom Lazer Shantojën, bënin pjesë në atë grupim të Opozitës së vjetër. Ata u përpoqën ta shmangnin këtë fatalitet të paracaktuar, duke iu drejtuar Italisë për një marrëveshje që do të përjashtonte pushtimin. Por, kjo marrëveshje ishte e kotë. Në këto rrethana të vështira Opozita mendoi se ndërsa italianët do të kishin pushtetin, ato do të përpiqeshin të manovronin.

Kështu Koliqi, një nga shkrimtarët dhe intelektualët më me zë të Shqipërisë, mori postin e ministrit të arsimit duke u përfshirë në qeveri të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta.

Në një letër drejtuar mikut te tij, Karl Gurakuqit ai shprehet kështu:

“Sa erdha si minister mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni. para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa ktheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene).”

Gjatë kohës së tij si ministër u botua historia e letërsisë shqiptare në dy vëllime:

“Shkrimtarët Shqiptarë”, e redaktuar gjerësisht nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi. Ky i fundit dora e djathtë e ministrit. Në Historinë e tij të letërsisë ai përfshiu dhe shkrimtarë si :

  • Mit’hat Frashëri
  • Fan S.Noli
  • Faik Konica

Ishin ata që e patën shfaqur hapur kundërshtimin e tyre për regjimin e kohës.

Gjithashtu ai përfshiu edhe Migjenin.

“:… patëm shti (në librin e Historisë së Letërsisë) në radhë të shkrimtarëvet Midhat Frashërin, Fanolin, Faik Konicën, kundërshtarë të deklaruem t’atij rregjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdese shoqnore.”.

Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi dhe përpiloi lëndën e të parës antologji. Kjo vepër u botua më 1943 me titullin “Bota Shqiptare”.

Për proçesin e përpilimit të teksteve Ministria e Arsimit thirri nga Piana degli Albanesi, profesorin arbëresh, Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha një hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Në këtë varg bën pjesë edhe Fjalorthi i përpiluar nga Dom Nikollë Gazulli.

Ky fjalor përmban 5000 fjalë të rralla nga veriu i Shqipërisë, dhe që është i pari fjalor përshkrues e normativ i gjuhës shqipe. Më 1940 Koliqi organizoi në Tiranë një Kongres të Studimeve Shqiptare. Aty morën pjesë, përveç studiuesve shqiptarë, albanologët më të shquar botërorë, si:

  • Prof. Carlo Tagliavini
  • Antonio Baldacci
  • Francesco Ercole
  • Angelo Leotti
  • Gaetan Petrotta

Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë. Pranë këtij u themelua edhe Biblioteka Albanologjike dhe Muzeu Etnologjik.

“Përgatitëm tekste, vendosëm  njëhërë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare… Përmirësuem gjendjen e mësuesve dhe profesorve…”

Koliqi hapi dhe përkrahu shkollat shqipe në Kosovë. Prej këtyre shkollave doli elita e parë e mësuesve dhe intelektualëve kosovarë.

“Profesor Koliqi, me vullnetin dhe me shpirtin e një idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe mjetet shtetërore që kishte në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimor në viset e lirueme me elementa të shëndoshë, qi dhanë hov e gjallni shkollës shqipe.”

Ai nuk u ndal kurrsesi në qëllimin e tij për të përhapur shqipen edhe pse bëntë pjesë në qeverinë e një vendi të pushtuar.

“Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë. E u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë. Asokohe në Romë flitej me lanë 10 vjet, s’paku, gjuhën sllave në shkolla e n’administratë.”

Zhvillimi i arsimit shqip në Kosovë eci me hapa gjigandë. Brënda shumë pak kohe u hapën shumë shkolla dhe u shtua shumë numri i nxënësve.

“Në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës. Ata i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese). Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e :

  • Normales së plotë në Prishtinë
  • Liceut në Prizren dhe Tetovë
  • Shkollës Normale në Gjakovë
  • Institutit Teknik Bujqësor
  • Gjimnazit në Pejë.”

Ndërsa Rexhep Krasniqi shkruan kështu për këto zhvillime:

Kur u emnuesh Drejtues i Shkollës Shqipë në Prishtinë, Prof Koliqi (Ministër i Arsiemit n’at kohë) ndër të tjera udhëzime, shquejti tri pika me rëndësi të posaçme:

1) Ministria e Arsimit ven bujarisht në dispozicion mjete financiare dhe material të ndryshëm për ekuipazhin e shkollës dhe të Internatit si dhe për ushqim e veshmbathje të studentëve bursistë;

2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritetin mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht, me nga dy orë të përditshme për të gjitha klasat;

3) Për këtë qëllim ai porositi që studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë në organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër”.

 

Përveç kontributit të paçmueshëm për shkollat shqipe të Kosovës, Koliqit i detyrohet edhe dërgimi nëpër universitetet e Italisë i disa dhjetërave studentëve kosovarë për të zhvilluar stazhe dhe për t’u përgatitur dhe specializuar në degë të ndryshme të diturisë, që me vonë do të bëhen themelet e kulturës shqiptare.

  
        
          

Komentoni